[ad_1]
Fjala e Kryetarit të Qarkut Gjirokastër Armand Hilaj, në 106 vjetorin e Policisë së Shtetit:
I nderuar Drejtor Vendor i Policisë Gjirokastër,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal,
Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,
13 Janarin 1913, që është data e krijimit të Policisë së Shtetit, nuk e shohim vetëm si një pikë historike referimi.
Ky 106 vjetor, na bën sot të gjithëve krenarë kur kthejmë kokën pas, ndaj gjejmë rastin të nderojmë mijëra e mijëra punonjës me uniformë që kanë sakrifikuar e madje kanë dhënë jetën, për të siguruar rend e qetësi. Asnjë organizatë tjetër nuk numëron të dhënë të ngjashme për të rënët në krye të detyrës, në përmbushje të një misioni që është sa civil aq edhe shtetar.
Ndaj homazhin e parë në këtë përvjetor e kam për ata, që ngritën më shumë se një shekull më parë strukturën në mbrojtje të rendit, që parapriu Policinë e Shtetit sot.
Është një rrugëtim i gjatë, por më vjen mirë dhe e pohoj me plot gojën se Policia e Shtetit, megjithë vështirësitë dhe ulje–ngritjet ndër vite, është organizata më e besuar nga qytetarët, duke lënë pas institucione e pushtete.
Për ju, drejtuesit e policisë lokale në Gjirokastër deri tek punonjësi me gradën më të ulët, në emër të pushtetit vendor kam vetëm fjalë falënderuese.
Ne që punonjmë shpesh në sfida të përditshme me ju, e kuptojmë fare mire sakrificën tuaj.
Unë më së shumti, pavarësisht debatit dhe sulmit politik, që jo në pak raste bie me të padrejtë mbi ju, jam i bindur që në radhët e Policisë së Shtetit shërbejnë shumë gra e burra të përkushtuar e të ndershëm. E pikërisht për këtë, besoj se puna e mundi juaj, nuk njolloset nga një pakicë.
I ka dhënë provat dhe e shoh gjatë punës së përditshme, apo në trajtimin e çështjeve që na lidhin, se Policia e Shtetit është institucioni që po rritet për t’u bashkuar jo larg në kohë, me organizatat partnere evropiane.
Si qytetar i Gjirokastrës, që kam vendosur të jetoj e rrit fëmijët e mi këtu, e shpreh me bindje se Policia e Shtetit do të mbetet me sakrificën e përditshme, aleati ynë kryesor. Sepse të gjithë bashkë ne duam të jetojmë sa më të qetë e të sigurt në qytetin tonë, në Shqipërinë tonë.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar përvjetorin e 106 të krijimit!